I bazuar në librin e gazetarëve të “The Washington Post”, Bob Woodward dhe Carl Bernstein, filmi sjell në ekran hetimin e skandalit “Watergate”, që çoi në dorëheqjen historike të presidentit Richard Nixon.

I drejtuar nga Alan J. Pakula me protagonistë Robert Redford dhe Dustin Hoffman, filmi u kthye në një sukses të madh komercial dhe kritik ndërsa u nominua për tetë çmime Oscar dhe fitoi katër, përfshirë skenarin më të mirë të adaptuar nga William Goldman dhe aktorin më të mirë dytësor për Jason Robards në rolin e redaktorit Ben Bradlee.

Një nga elementët që e bëjnë filmin të veçantë është mënyra e ndërtimit të tensionit përmes detajeve minimale dhe qasjes procedurale. Regjisori Pakula krijoi një atmosferë të ngjeshur dhe shpesh klaustrofobike, duke e vendosur kamerën shumë pranë personazheve duke theksuar presionin psikologjik mbi burimet dhe gazetarët. Kinematografia e Gordon Willis kontribuoi në këtë stil, duke përdorur dritën dhe hijen për të përforcuar ndjesinë e ankthit dhe pasigurisë.

Filmi portretizon me realizëm një proces në gazetarinë investigative: kërkimin e vazhdueshëm për burime, verifikimin e informacionit dhe ndërtimin gradual të një historie komplekse që lidh një grabitje të dukshme të vogël me nivelet më të larta të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë.

Interesi për realizimin e tij nisi nga vetë Redford, i cili gjatë një turneu promovues për filmin “The Candidate” u njoh më nga afër me raportimet e “Washington Post” mbi Watergate. Ai pa potencialin dramatik në kontrastin mes dy gazetarëve shumë të ndryshëm. Fillimisht, Woodward dhe Bernstein hezituan për një adaptim filmik, pasi ishin ende të përqendruar në hetimin e tyre, por më vonë ranë dakord, ndërsa Redford siguroi të drejtat e filmit për një shumë të konsiderueshme për kohën.

Edhe sot, pesë dekada më vonë, “All the President’s Men” konsiderohet një standard i artë për filmat mbi gazetarinë, krahas titujve si “Spotlight” dhe “Citizen Kane”, duke mbetur një dëshmi e fuqisë së gazetarisë përballë pushtetit.