Agjencia Kombëtare e Rinisë ka publikuar thirrjen për Programin e Talenteve Rinore.
Programi i Talenteve Rinore është një iniciativë shtetërore e Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), e krijuar për të mbështetur të rinjtë shqiptarë që përfaqësojnë nën flamurin tonë vendin në kompeticione dhe veprimtari ndërkombëtare në fushat e artit, kulturës, edukimit, shkencës, teknologjisë dhe sportit.
Programi ofron: Kompensim të shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit para veprimtarisë; Shpërblim financiar pas arritjes së rezultateve, si një akt vlerësimi dhe frymëzim për brezin e ri.
Veçanërisht i kushtohet vëmendje edhe të rinjve nga grupet në nevojë, që asnjë talent shqiptar të mos mbetet peng i pamundësive ekonomike.
Ky program zgjidh një sfidë të kahershme: shpeshherë, talentet e reja nuk mund të merrnin pjesë në kampionate apo olimpiada botërore për shkak të kostove të larta.





