Kompania amerikane “Joby Aviation” realizoi një fluturim testues mbi qytet, duke treguar potencialin e avionëve të vegjël elektrikë për transport të shpejtë të pasagjerëve.

Avioni elektrik i kompanisë fluturoi pranë disa prej pikave më ikonike të zonës së Gjirit, përfshirë urën “Golden Gate”,  gjatë një rruge që nisi nga aeroporti ndërkombëtar i Oakland.

Demonstrimi është pjesë e një turneu prezantues në SHBA për të promovuar teknologjinë e re të transportit ajror urban. Sipas kompanisë, “Joby Aviation” mjetet e saj fluturuese janë të projektuara për të transportuar pasagjerë në mënyrë të shpejtë dhe relativisht të qetë, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit në qytete të mëdha.

Drejtuesi i “Joby Aviation”, JoeBen Bevirt, e quajti demonstrimin një moment historik për kompaninë dhe një hap të madh drejt realizimit të këtij projekti.
Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) e ka përzgjedhur kompaninë për një program pilot që synon integrimin e avionëve me ngritje dhe ulje vertikale elektrike (eVTOL).

Programi synon të testojë përdorimin e tyre në disa shtete amerikane, përfshirë transportin e mallrave dhe misione mjekësore.