Shqipëria ka arritur një tjetër progres të rëndësishëm në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 9-të në botë sipas National Cyber Security Index (NCSI), me një rezultat prej 92.5 pikësh.

Ky pozicionim përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, duke reflektuar një ngjitje të qëndrueshme nga vendi i 54-t në vitin 2023 dhe vendi i 15-të në vitin 2025, drejt një renditjeje ndër vendet më të avancuara në nivel global në këtë fushë.

Çfarë është NCSI?

National Cyber Security Index (NCSI) është një indeks ndërkombëtar që mat nivelin e përgatitjes së shteteve për të parandaluar kërcënimet dhe për të menaxhuar incidentet kibernetike. Ai zhvillohet nga E-Governance Academy (EGA) në Estoni, një organizatë e njohur globalisht për ekspertizën në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike.

Indeksi përfshin 112 shtete dhe vlerëson mbi 40 indikatorë që mbulojnë: kuadrin ligjor dhe institucional, mbrojtjen e shërbimeve kritike dhe të dhënave personale, kapacitetet e reagimit dhe menaxhimit të krizave, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.