Flamingot janë tashmë “banorë” të përhershëm në lagunën e Nartës duke dhuruar spektakle fluturimesh mbi ujëra për vizitorët e shumtë që i drejtohen kësaj zone me diversitet të madh natyror dhe me atraksione kulturore siç është dhe Manastiri i Zvërnecit.
Ndërsa vendi ka rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura që në pjesën më të madhe janë dhe habitatet e preferuara të shpendëve, prania e flamingove nuk është më habi.
Në lagunat e shumta që ndodhen nga jugu në veri, flamingot tashmë janë banorë të mirëpritur të këtyre ujërave.
Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.
Në vendin tonë habitati i këtij lloji është laguna e Nartës, Karavastasë, por edhe liqeni i Pogradecit.
Laguna e Nartës, renditet e dyta më e madhe nga rëndësia për shpendët e ujit. Në këtë lagunë janë rreth 20,000 shpendë dimërorë të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.
Laguna e Nartës ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.





