Raporti, i hartuar nga Komiteti për Çështje Ligjore i Parlamentit, kërkon që ligji i BE-së për të drejtat e autorit të zbatohet për të gjitha sistemet e IA-s që u vihen në dispozicion përdoruesve brenda bllokut.

Ndër propozimet kryesore është krijimi i një regjistri evropian pranë Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Europian (EUIPO), ku do të regjistrohen të gjitha veprat e mbrojtura nga e drejta e autorit që përdoren për trajnimin e modeleve të IA-s, si dhe artistët që kanë zgjedhur të mos lejojnë përdorimin e veprave të tyre.

Raporti sugjeron gjithashtu që kompanitë të bëjnë publike faqet e internetit nga të cilat kanë mbledhur të dhëna për trajnim.

Eurodeputetët paralajmërojnë se mosrespektimi i këtyre kërkesave për transparencë mund të konsiderohet shkelje e të drejtave të autorit dhe të çojë në pasoja ligjore për kompanitë e IA-s.

Sipas Parlamentit, materialet e mbrojtura nga e drejta e autorit duhet të paguhen në mënyrë të drejtë për të mbrojtur sektorin kreativ të BE-së, i cili gjeneron pothuajse 7% të prodhimit të brendshëm bruto të unionit.
“IA gjenerative nuk duhet të funksionojë jashtë shtetit ligjor”,  tha eurodeputeti Axel Voss, duke theksuar se nëse veprat e mbrojtura përdoren për trajnimin e sistemeve të IA-s krijuesit kanë të drejtë për transparencë, siguri ligjore dhe kompensim të drejtë.

Megjithatë, reagimet nga industria kanë qenë të përziera. Organizatat e sektorit kreativ e përshëndetën votimin si një mbështetje të fortë për të drejtat e krijuesve dhe kërkuan krijimin e një tregu licencash që garanton pagesa për përdorimin e veprave në trajnimin e IA-s.

Nga ana tjetër, disa organizata të industrisë së teknologjisë paralajmëruan se kërkesa për autorizim paraprak nga artistët mund të krijojë barrë të madhe për kompanitë europiane dhe të dëmtojë konkurrueshmërinë digjitale të Evropës në nivel global