Pavijoni shqiptar mban emrin “Soundscapes of Albania” dhe përveç projekteve të prezantuara përfshin edhe rreth 25 makete arkitekturore, që pasqyrojnë konceptet dhe tiparet kryesore të zhvillimeve të propozuara.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, theksoi se projektet e prezantuara në panair ofrojnë një panoramë të gjerë të zhvillimeve urbane dhe turistike në vend, duke përfshirë iniciativa të hartuara nga studio të njohura ndërkombëtare të arkitekturës.

Sipas saj, pavijoni shqiptar ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe profesionistëve të sektorit, ndërsa interesi i agjencive imobiliare dhe investitorëve të huaj ka qenë i konsiderueshëm.

Ndërkohë, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Territorit, Adelina Greca, u shpreh se pjesëmarrja në këtë panair synon të promovojë Shqipërinë dhe potencialin e saj për zhvillim në fushën e investimeve dhe arkitekturës.

Ajo theksoi se panaire të tilla ndërkombëtare krijojnë mundësi për bashkëpunime të reja me arkitektë, zhvillues dhe investitorë nga vende të ndryshme.

Në panairin MIPIM 2026 marrin pjesë mbi 20 mijë profesionistë të industrisë së pasurive të paluajtshme nga e gjithë bota. Aktiviteti shërben si një platformë ndërkombëtare për ndërtimin e partneriteteve, prezantimin e projekteve inovative dhe nxitjen e investimeve në zhvillimet urbane të së ardhmes, pjesë e të cilave është edhe Shqipëria