Marrëveshjen e firmosën kryetari i Akademisë, akad. Skënder Gjinushi, dhe presidenti i UPMVSH, Ervin Resuli. Sipas kryetarit Gjinushi, kjo marrëveshje pasqyron vullnetin e përbashkët për të forcuar kërkimin shkencor, formimin profesional dhe praktikën veterinare.
“Akademia e Shkencave ka për mision të luajë rolin e një qendre koordinimi për promovimin e kërkimit shkencor në tërësi, ku shkencat e veterinarisë zënë një vend të veçantë. Në kuadër të reformimit të sistemit të kërkimit, prioriteti ynë është ngritja e një qendre të shkencave të jetës sipas konceptit ‘Një shëndet’, që do të forcojë kërkimin edhe në këtë fushë” u shpreh akad. Gjinushi.
Ai shtoi se Akademia do të mbështesë përgatitjen në nivel europian të specialistëve të rinj, veçanërisht mjekëve veterinerë, duke konkretizuar bashkëpunimin në kuadër të marrëveshjes.





