Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, do të zhvillojë më 12-13 qershor Konferencën X Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Sikurse çdo vit, konferenca do të zhvillohet në një vatër të shqiptarisë, për të bashkëndarë rezultatet dhe për të koordinuar veprimtarinë arkivore në rang kombëtar. Pas Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit, Boletinit, Manastirit, Elbasanit dhe Shën Mitrit, Prizreni do të jetë ndalesa e radhës.

DPA fton të gjithë të interesuarit, nëpunës dhe profesionistë të fushës së arkivistikës, të aplikojnë duke dërguar abstraktet në adresën botime.arkiva.gov.al deri më datë 5 prill. DPA dhe ASHAK tejkalojnë kufijtë shtetërorë, duke vepruar të unifikuara për të ruajtur, administruar, përpunuar dhe shërbyer dokumentacionin e kombit shqiptar.

Ftesa për pjesëmarrje në konferencë u drejtohet edhe institucioneve që ruajnë dokumente, si dhe atyre që ndërveprojnë me ruajtjen dhe promovimin e  kujtesës historike dhe kulturore. Meqenëse ky vit përkon me 75-vjetorin e themelimit të Arkivit të Kosovës, kjo ngjarje jubilare do të jetë në boshtin tematik të konferencës.

Materialet e paraqitura prej kumtuesve, do të kurorëzohen me botimin e të vetmes revistë në fushën e arkivave anekënd trojeve, “Arkivat Shqiptare”.