Umberto Eco: Hiqet ndalesa testamentare për aktivitetet kushtuar autorit

0
3

Kjo dispozitë, e menduar nga Eco për të shmangur “kultin e menjëhershëm” pas vdekjes, ka qenë objekt diskutimesh në botën akademike italiane prej vitesh. Tashmë, me skadimin e saj, familja ka të drejtë të japë autorizime për nisma zyrtare, duke hapur rrugën për aktivitete të reja studimore që synojnë të rivlerësojnë trashëgiminë e autorit.

Figura e Ecos mbetet monumentale. Lindur në Alessandria në vitin 1932, ai u formua si filozof dhe u bë një prej teoricienëve kryesorë të semiotikës, ndërsa për dekada ishte profesor në Universitetin e Bolonjës. Eco njihej jo vetëm si akademik, por si një intelektual publik me ndikim të jashtëzakonshëm, i aftë të ndërthurte erudicionin e thellë me ironinë dhe lehtësinë e komunikimit.

Si romancier, ai preku miliona lexues në mbarë botën me romane si “Il nome della rosa”, “Il pendolo di Foucault” dhe “L’isola del giorno prima”, duke krijuar një stil të pakrahasueshëm ku historia, filozofia dhe misteri bashkëjetojnë natyrshëm. Po aq domethënëse janë esetë dhe shkrimet e tij për median, manipulimin, propagandën dhe kulturën e masës – tema që sot tingëllojnë edhe më aktuale.

Në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, universitetet dhe qendrat kulturore në Itali dhe jashtë saj pritet të nisin një cikël të ri konferencash, leximesh dhe ekspozitash kushtuar mendimit dhe veprës së Ecos, duke i dhënë një dimension të ri studimit të autorit.

Ndër thëniet më të cituara të tij, që sot qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, mbetet ajo mbi fuqinë e leximit:

“Kush nuk lexon, në moshën 70-vjeçare do të ketë jetuar vetëm një jetë. Kush lexon, do të ketë jetuar 5 mijë vjet.”

Trashëgimia intelektuale e Ecos vazhdon të frymëzojë breza studiuesish, shkrimtarësh dhe lexuesish, duke e bërë figurën e tij të pazëvendësueshme në panoramën kulturore botërore.