Vizitorët në Kalanë e Krujës do të kenë mundësi të aksesojnë internet Wi-Fi falas.Kjo nismë përmirëson përvojën e vizitorëve, duke krijuar më shumë mundësi për komunikim, informim dhe zhvillim në kohë reale.

Nisma vjen në kuadër të programit të BE-së EU4Digital, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane, që synon shtrirjen e Wi-Fi publik në deri në 500 bashki në Ballkanin Perëndimor, si një hap i rëndësishëm drejt përshpejtimit të transformimit digjital dhe afrimit të rajonit me Tregun e Vetëm Digjital të Bashkimit Europian.

Në Shqipëri, programi parashikon instalimin e 73 pikave publike Wi-Fi në 61 bashki të vendit, duke garantuar akses më të gjerë dhe më të barabartë në lidhjen digjitale për komunitetet dhe vizitorët në të gjithë territorin.

Muzeu në Kalanë e Krujës është një nga sitet kulturore më të vizituara në Shqipëri, ku vetëm një vit më parë u regjistruan rreth 200 mijë turistë. “Prioritet kryesor për ne është turizmi gjatë gjithë vitit dhe sitet kulturore mbajnë peshën kryesore të turizmit gjithëvjetor”, u shpreh zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa.

Operatori i telekomunikacionit Vodafone Albania u përzgjodh përmes një tenderi publik të zhvilluar nga GIZ për të shtrirë dhe mirëmbajtur infrastrukturën Wi-Fi, si dhe për të ofruar shërbim interneti falas në vendndodhje publike të përcaktuara në të gjithë Shqipërinë.

Nisma WiFi4WB do të përmirësojë aksesin në shërbime digjitale, arsim dhe informacion publik, duke mbështetur njëkohësisht bizneset e vogla, përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe forcuar turizmin lokal. Duke siguruar internet falas dhe të besueshëm në hapësira publike, nisma promovon gjithashtu përfshirjen sociale dhe ndihmon në ngushtimin e hendekut digjital.

WiFi4WB është pjesë e projektit EU4Digital, i zbatuar nga GIZ dhe i frymëzuar nga programi i BE-së WiFi4EU, që ka lidhur mbi 7 mijë komunitete në të gjithë Europën. Pas zbatimit të plotë të nismës, qytetarët dhe vizitorët do të mund të aksesojnë Wi-Fi falas në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, shkolla dhe site kulturore, në Shqipëri dhe në mbarë rajonin.