Prof. dr. Neritan Ceka vlerësohet si zbulues i monumenteve të Bylisit, së bashku me prof. dr. Skënder Muçajn.
Gjatë një periudhe 60-vjeçare ai ka dhënë kontribut në fushën e arkeologjisë prehistorike e të arkeologjisë ilire, duke e zgjeruar fushën e studimeve mbi qytetin ilir.
Dy kolegët, akad. Apollon Baçe e prof. dr. Skënder Muçaj nëpërmjet kujtimeve shprehën respektin e thellë për personalitetin e prof. dr. Cekës si mik, shok e bashkëpunëtor dhe më tej edhe për kontributin, bashkëpunimet në fushën e arkeologjisë. Ata vlerësuan mbi të gjitha përkushtimin e prof. Cekës në kërkimin dhe studimin e objekteve arkeologjike dhe të gjurmëve të historisë së antikitetit, me një tërheqje të fortë drejt qytetit të madh të Bylisit, duke zbuluar teatrin, stadiumin, shëtitoret, gjimnazin dhe disa nga hyrjet dhe kullat e fortifikimeve të qytetit ilir, duke vlerësuar më tej edhe ekspeditat dhe gërmimet në Butrint, të cilave u është kthyer edhe sot.
Ata e vlerësuan prof. dr. Cekën si degë të një dinastie të arkeologjisë shqiptare, që nis me babanë e tij Hasan Cekën, një nga themeluesit e arkeologjisë shqiptare, duke vijuar me të bijën dr. Orgita Cekën.





