Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche, ka hedhur poshtë një propozim të një komisioneri të Bashkimit Evropian për ta lidhur shpërndarjen e fondeve publike të BE-së me kriterin ”Made in Europe” për kompanitë.
”Përgjigjja evropiane ndaj sfidave të konkurrencës globale nuk mund të jetë izolimi”, tha Reiche.
”Evropa ka nevojë për rregulla të thjeshta, procese më të shpejta investimi dhe ulje konkrete të burokracisë”, u shpreh ministrja në komentet e publikuara sot, duke shtuar se partneritetet e forta ndërkombëtare janë gjithashtu thelbësore.
”Qasja jonë është ‘Made with Europe’ dhe ne mbështetemi te pikat tona të forta dhe i kombinojmë ato me partnerë të besueshëm tregtarë në mbarë botën. Kështu e bëjmë Evropën konkurruese”, theksoi ajo.
Komisioneri i BE-së për Industrinë, Stephane Sejourne, kishte argumentuar më herët gjatë javës se fondet publike evropiane duhet të lidhen me prodhimin në Evropë dhe me vende pune cilësore.
Në një artikull opinioni të botuar në disa media evropiane, ai tha se kompanitë që përfitojnë nga tenderët publikë, ndihma direkte shtetërore ose forma të tjera mbështetjeje financiare duhet të kryejnë një pjesë thelbësore të prodhimit të tyre në territorin evropian.
Ai bëri thirrje që i njëjti parim të zbatohet edhe për investimet e huaja direkte





