Omer Nishani patrioti me vlera perëndimore

0
5

Muzeu Historik Kombëtar e kujton Omeri Nishanin si një patriot që, me edukimin e tij evropian dhe vlerat perëndimore, forcoi besueshmërinë dhe autoritetin e lëvizjes antifashiste.

Veprimtarinë politike e nisi si kundërshtar idealist i regjimit të Zogut, por më pas u bë një nga drejtuesit e shtetit komunist, duke u përpjekur të ruante integritetin e tij moral të moderuar përballë një sistemi që ashpërsohej vazhdimisht.

Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes dhe më pas vazhdoi studimet në Turqi. Pas diplomimit, u rikthye në Shqipëri, ku deri në vitin 1923 ushtroi profesionin e mjekut në Gjirokastër, Berat dhe Tiranë. Në vitin 1924 u rreshtua në krah të lëvizjes demokratike, duke mbështetur Fan Nolin dhe qeverinë e tij. Pas rrëzimit të kësaj lëvizjeje, në fund të vitit u detyrua të largohej në emigracion, ku qëndroi për 15 vite.

Gjatë kësaj periudhe kontribuoi në publicistikën shqiptare me gazetën “Liria Kombëtare” (1925–1935) dhe në strukturat e KONARE-së (Komiteti Nacional Revolucionar), një organizatë politike e krijuar nga emigracioni shqiptar në Vjenë.

Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1939, veprimtaria e tij u orientua drejt Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Momenti kulmor i karrierës së tij ishte zgjedhja si kryetar i Këshillit Antifashist në Kongresin e Përmetit. Pas vitit 1944, Nishani u përqendrua në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe për shtatë vite, nga 1946 deri më 1953, shërbeu si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Figura e Omer Nishanit vlerësohet për rolin e tij në ndërtimin e institucioneve të para shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore dhe për trashëgiminë dokumentare të lënë nëpërmjet shtypit të kohës.

U nda nga jeta më 27 maj 1954, në rrethana që nuk janë sqaruar plotësisht.