Projekti “Projeksion mbi liqen”, një bashkëpunim mes DRTK Shkodër, COD, Bashkisë Shkodër, shkollave të mesme të qytetit dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, bazohet në tre komponentë kryesorë:

– Mbrojtja e mjedisit përmes pastrimit të territorit dhe brigjeve të Liqenit të Shkodrës nga mbetjet plastike, veçanërisht shishet;

– Kreativiteti nëpërmjet krijimit të një figuracioni/instalacioni simbolik nga grupe studentësh, i cili përfaqëson trashëgiminë kulturore, florën dhe faunën e Liqenit të Shkodrës;

– Ndërgjegjësimi dhe përfshirja e të rinjve në realizimin e kësaj vepre artistike nga nxënës dhe studentë, në formën e një mozaiku, duke përdorur si elementë përbërës shishe plastike të pikturuara, të mbledhura gjatë pastrimit të brigjeve të liqenit.

Ky projekt synon të ndërthurë mbrojtjen e mjedisit me artin dhe edukimin qytetar, duke vënë në qendër liqenin e Shkodrës, një pasuri e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore, e cila pritet së shpejti të përfshihet nën mbrojtjen e UNESCO-s si Rezervë Ndërkufitare e Biosferës.