Viti artistik 2026 në teatrin “Skampa” ka nisur me energji krijuese dhe një sërë edicionesh të menduara për publikun elbasanas dhe më gjerë.
Drejtori artistik Kliton Kapaj rrëfen se sezoni i ri po ndërtohet mbi një program të kujdesshëm, ku bashkëjetojnë shfaqjet teatrore, aktivitetet muzikore dhe projektet edukuese. Aktualisht kanë nisur provat për komedinë “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”, e cila do të shënojë edhe një nga premierat e para të vitit 2026.
E shkruar nga autori grek Yorgos Theodosiadis dhe me regji të Donard Hasanit, kjo vepër mbart një dramë të brendshme, duke trajtuar jetën e personave me aftësi të kufizuara, përpjekjet e tyre për të jetuar, dashuruar dhe punuar normalisht, si dhe nevojën e shoqërisë për t’i mbështetur e për t’i konsideruar pjesë të barabartë të saj. Historia e tre shokëve që jetojnë bashkë dhe bien në dashuri me të njëjtën vajzë, ngre pikëpyetje dhe sjell mesazhe të fuqishme sensibilizuese.
Në këtë produksion marrin pjesë aktorët Laert Vasili, Helidon Fino, Hervin Çuli dhe Atalanta Kërçyku, me skenografi të Fatbardh Markut.
Drejtori Kapaj thekson se ambicia mbetet që Teatri “Skampa” të vijojë të jetë një skenë e hapur, ku arti komunikon drejtpërdrejt me qytetin dhe ku çdo shfaqje ndërton një marrëdhënie të sinqertë me publikun.
Një nga kënaqësitë më të mëdha për drejtuesin e institucionit mbetet fakti se salla e teatrit është e mbushur pothuajse në çdo shfaqje. Edhe Teatri i Kukullave te Elbasanit ka njohur një audiencë shumë të gjerë që nga rihapja, duke u kthyer në një pikë referimi për fëmijët dhe familjet, pa reshtur asnjëherë aktivitetin e tij.
Teatri “Skampa” dhe Drejtoria e Artit dhe Kulturës, në varësi të Bashkisë Elbasan, vijojnë të luajnë një rol kyç në jetën kulturore të qytetit, duke mbështetur dhe promovuar artin skenik, muzikën dhe krijimtarinë artistike në të gjitha format e saj.




