Ngjarjet e filmit zhvillohen në fshatin Shëngjergj, në Tiranë, dhe pasqyrojnë historinë e një familjeje myslimane, e cila u jep Besën dy miqve hebrenj, duke refuzuar t’i dorëzojë tek pushtuesit gjermanë, pavarësisht pasojave tragjike që do të pasonin.
Një nga figurat më të forta të filmit është Shkurta, e interpretuar nga aktorja Delinda Disha, e cila përfaqëson një nga sakrificat më të rënda njerëzore. Për të mos çnderuar familjen dhe për të mos thyer Besën e dhënë, ajo pranon humbjen e bashkëshortit të saj, i cili merret nga gjermanët për t’u ekzekutuar së bashku me priftin e fshatit.
Rolin e Ismailit e interpreton aktori i mirënjohur ndërkombëtarisht Arben Bajraktaraj, i cili sjell në ekran figurën e burrit shqiptar të përballur me një dilemë morale dhe njerëzore, mes jetës, nderit dhe fjalës së dhënë.
Filmi është realizuar me skenar dhe regji nga Dhimitër Ismailaj dhe Valona Ismailaj, duke u fokusuar në vlera universale si besa, solidariteti dhe guximi njerëzor përballë së keqes.
“Dilema e Ismailit” vjen si një homazh për historitë e panjohura të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri dhe për trashëgiminë morale që i ka dhënë vendit tonë një identitet të veçantë në kujtesën historike europiane.





