Qindra emigrantë besohet se kanë humbur jetën ose janë zhdukur në Mesdhe gjatë janarit, njoftoi sot  Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM ) e Kombeve të Bashkuara.

”IOM-i është thellësisht i shqetësuar nga raportet për disa anije mbytura. Kushtet e këqija të motit kanë penguar fort operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në një komunikatë të organizatës, e cila po verifikon informacionet.

“Vetëm gjatë javëve të para të 2026-ës, kemi frikë se qindra persona mund të jenë zhdukur”, shtoi organizata.

Gjatë 10 ditëve të fundit janë raportuar tre anije të mbytura, dy më 23 janar dhe një më 25 janar, të cilat besohet se shkaktuan 104 viktima”, tha Jorge Galindo, zëdhënës i IOM-it.

Sipas IOM-it, anijet ishin nisur nga Libia dhe Tunizia.

”IOM gjithashtu po heton zhdukjet e anijeve që dolën nga Tunizia, me rreth 380 persona”, shtoi ai.

”Këta persona ndodheshin në nëntë anije të ndryshme, të cilat besohet se u mbytën midis 14 dhe 21 janarit”, tha Merna Abdelazim, analiste e të dhënave në projektin “Missing Migrants” të IOM.

Agjencia e OKB-së ka mundur të konfirmojë vetëm tre vdekje lidhur me incidentin e 23 janarit.

“Në Lampedusa, Itali, tre persona kanë vdekur gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi që përfshinte një anije nisur nga Tunizia”, njofton IOM-i.