Anagnosti, mjeshtri i kinematografisë shqiptare

0
5

Dhimitër Anagnosti, operator, regjisor, skenarist, i vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, lindi në Vuno të Himarës, në rrethin e Vlorës, më 23 janar 1936.

U diplomua në Institutin Kinematografik VGIK të Moskës për kinooperator.

Filloi punën në kinostudion “Shqipëria e re” (1961) si kinooperator në filmat “Debatik” dhe “Toka e jonë” (1964), si dhe në xhirimin e filmave dokumentarë “Gjirokastra” dhe “Gurët dekorativë”. Në filmin e parë artistik “Komisari i dritës” (1966), ish bashkautor në regji dhe kamera me Viktor Gjikën, një film ky që pati jehonë në publik, u nderua me Urdhrin “Naim Frashëri”.

Filmi i tij i parë si regjisor i pavarur ishte “Duel i heshtur” (1967), ku dolën në pah përpjekjet e suksesshme të regjisorit për të depërtuar në psikologjinë e njeriut. Më vonë Anagnosti xhiroi disa filma që tërhoqën vëmendjen e qarqeve të ndryshme për një stil të veçantë dhe gjuhë të pastër filmike si: “Plagë të vjetra” (1969), “Malet me blerim mbuluar” (1971), por filmi që shënoi një pikë kulmore në krijimtarinë e tij ishte “Lulëkuqet mbi mure” (1976).

Ky film u nderua me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Një sukses të bujshëm patën edhe filmat “Përrallë nga e kaluara” (1987) dhe “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989) në të cilët, është edhe autor i skenarit. Për disa vjet ai ka punuar edhe si skenarist dhe redaktor në redaksinë e filmit artistik. Është autor i 11 skenarëve.

Veprat e Anagnostit janë nderuar me tre Çmime të Republikës (1969, 1979, 1983), tre Çmime Ndërkombëtare (1980, 1983, 1985), nga të cilët një çmim të madh “GRAND PRIX” dhe një “Medalje ari”. Eshtë fitues i tri kupave të Festivaleve të Filmit Shqiptar, si dhe i Çmimit “Aleksandër Moisiu”(1989). Ka fituar gjithashtu disa çmime për skenarët. Më 1987-n iu dha titulli “Artist i Popullit“.

Në mars 1991 ai u zgjodh deputet si kandidat i Partisë Demokratike në Parlamentin e parë pluralist shqiptar. Në maj 1992 u emërua Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Ka drejtuar për disa vite Fondacionin “Fan S. Noli” për Kulturën dhe Artin.

Në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar (10-13 maj, 1995) u nderua me “Çmimin e Karrierës”.

Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta më 1 shtator 2025.