Xhorxh Gordon Bajron, poet, një nga figurat më të shquara të Lëvizjes Romantike dhe që vlerësohet si një nga poetët më të mëdhenj britanikë.

Duke pasur prejardhje nga një familje fisnikësh, Lord Bajroni mundi të shtegtonte në vende të ndryshme, dhe gjatë këtyre shtegtimeve u ndal për një kohë të konsiderueshme edhe në trojet shqiptare.

Poema romantike “Shtegtimet e Çajlld Haroldit” së bashku me njoftimet që përmbajnë letrat e Lordit drejtuar nënës së vet dhe shënimet në formë ditari që ka mbajtur bashkudhëtari i tij Xhon Kem Hobhauz, dëshmojnë sesi një poet romantik i pararojës letrare evropiane dhe shoku i tij, një i ri i kulturuar anglez, e shihnin Shqipërinë në fillim të shekullit XIX. Gjithashtu letrat e tij dëshmojnë edhe gjykimin mbi Ali Pashë Tepelenën.

Për Bajronin, Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla; shqiptarët njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha; Ali Pashë Tepelena një kapedan i egër por jo mizor, vezir por i pavarur, figura e tretë historike pas Aleksandrit të Madh dhe pas Skënderbeut.

Në vizionin e Bajronit mbi Shqipërinë, mbi shqiptarët dhe mbi Ali Pashë Tepelenën ka ndikuar kryesisht formimi romantik i tij. Si rrjedhim, ai e pikturoi botën e panjohur shqiptare si poet dhe si kureshtar.

Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, e veçanërisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

Në letrën dërguar nënës së tij në 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan: “…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam qëndruar një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë në një kazermë shqiptarësh dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aq të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gjibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, franceze, siçilianë dhe anglezë. Nuk më vodhën gjësend, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”.

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj, sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare.