Kompleksi i Manastirit të Kryeengjëjve përbëhet nga kisha dhe konakët, që e rrethojnë atë, kryesisht nga ana lindore dhe perëndimore.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ndau pamjet 3D të këtij manastiri për të pasur një ide më të plotë rreth këtij ndërtimi. Kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi. Në të gjithë sipërfaqen e interierit, kisha mban pikturë murale. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë ,triapsidal me përmasa të brendshme 6,9 x 3,8 metra. Naosi lidhet me narteksin në anën perëndimore, i cili është dykatësh.

Si në të gjitha kishat e Dropullit, edhe këtu është përdorur e njëjta teknikë ndërtimi, muraturë me gurë shtresore, të vendosur në radhë të rregullta e të lidhur me llaç gëlqereje. Mbulesa e çatisë është me rrasa guri. Si kohë ndërtimi mendohet që manastiri t’i përkasë shekullit të 18-të.