Në katër qarqe dhe 14 bashki të veriut të Shqipërisë ka nisur programi për Rijetëzimin e Kullave dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e turizmit, një nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Programi shtrihet në qarqet Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë dhe synon kthimin e kullave në bujtina, qendra kulturore, muze lokalë dhe pika edukimi, si pjesë e itinerareve turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.
Faza e parë e programit ka nisur vitin e kaluar dhe do të zgjasë edhe gjatë 2026-ës. Kjo fazë fokusohet në identifikimin e kullave në 4 qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës. Kjo fazë përfshin hartimin e projekteve tip për secilin qark dhe zhvillimin e programit të plotë për rijetëzimin e kullave që synon të përfshijë më tepër aktorë të tjerë publikë, apo donatorë të tjerë.
Faza e dytë do të zhvillohet në periudhën 2026-2028 dhe përfshin restaurimin e kullave, rijetëzimin e tyre, lidhje me operatorë turistikë, përfshirje në itinerare dhe zhvillimin e produkteve të tjera turistike rreth kullave, etj.





