Procedura fillon sipas përcaktimeve të ligjit “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe kërkesat paraqiten online përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Vendimi parashikon pagesa për sipërfaqet e truallit me funksion social-ekonomik, ndërsa trualli për ndërtesat e banesave të transferohet pa pagesë.

Përfituesit që kanë paraqitur kërkesë për privatizim të truallit para 1 korrikut 2012 do të përfitojnë ulje 20% nëse kryejnë pagesën brenda 30 ditëve nga njoftimi.

AShK-ja është përgjegjëse për verifikimin e pronësisë mbi ndërtesën, posedimin në terren të truallit dhe pagesën e detyrimeve të taksave.

Procedura administrative përfundon brenda 60 ditëve nga depozitimi i kërkesës, ndërsa vendimi për kalimin e pronësisë njoftohet dhe regjistrohet në regjistrin kadastral.

Për truallin që ndodhet në administrim të institucioneve shtetërore ose njësive vendore, miratimi i kalimit të pronësisë shfuqizon përgjegjësinë e administrimit.

Vendimi rregullon gjithashtu procedurat për ndërtime pa leje dhe ndryshimet minimale të sipërfaqes së truallit.