Aplikimi kryhet online, ku subjekti duhet të paraqesë një kërkesë të argumentuar me shkrim, të shoqëruar nga një plan rilevimi i sipërfaqes së poseduar, i hartuar nga një ekspert gjeodet i licencuar.
Për të provuar lidhjen me pasurinë, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumente që vërtetojnë ushtrimin e aktivitetit ekonomik ose përdorimin e vazhdueshëm të saj, si dokumentacion tatimor, fatura shërbimesh të lidhura me pasurinë, deklarata apo dëshmi nga banorë dhe autoritete vendore që konfirmojnë posedimin për një periudhë të paktën 10-vjeçare, si edhe fotografi, ortofoto apo prova të tjera materiale.
Aplikuesit kanë mundësi të paraqesin edhe çdo dokument tjetër që forcon provën e lidhjes së tyre me pasurinë.
Në mbështetje të qytetarëve gjatë këtij procesi, Bashkia Shkodër bën me dije se Zyra me Një Ndalesë e-Albania do të ofrojë asistencë dhe orientim për aplikimin, duke synuar lehtësimin e procedurave dhe informimin e plotë të çdo të interesuari.
Aplikimet kryhen përmes linkut zyrtar të e-Albania, duke garantuar një proces transparent dhe të aksesueshëm për të gjithë.
“Paketa e Maleve” është një politikë zhvillimore e qeverisë shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit.
Ajo synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.





