Ky sistem siguron administrim më të saktë dhe transparent të fondeve të Bashkimit Evropian, përmirëson mbështetjen për fermerët dhe lehtëson menaxhimin e skemave bujqësore në përputhje me standardet evropiane.

Drejtoresha e AZhBR-së, Ardita Kuçi tha se LPIS, bazohet në imazheri satelitore dhe standard të avancuara të BE-së.

E pranishme në takimin e organizuar sot në Tiranë, me ekspertë vendas dhe të huaj, ajo vuri theksin në përfshirjen më të gjerë të fermerëve për konfirmimin dhe pasurimin e të dhënave fillestare.

Gjatë takimit u prezantuan përvoja nga vendet e Bashkimit Evropian, ecuria e projektit pilot në Shqipëri dhe roli i LPIS në rritjen e efikasitetit të administrimit të skemave të mbështetjes bujqësore.

“Pas përfundimit të fazës së parë të projektit pilot LPIS në Qarkun e Beratit. AZhBR përgatitet për fazën e dytë të zbatimit, me fokus përfshirjen e fermerëve për konfirmimin dhe pasurimin e të dhënave fillestare, të përftuara nga interpretimi i imazherisë satelitore”, tha Kuçi.

Projekti EU4Property Rights financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe AZhBR, duke kontribuar në përmirësimin e menaxhimit të pronave dhe mbështetjen e fermerëve shqiptarë.