Ai konsiderohet një nga piktorët më të rëndësishëm realistë shqiptarë të shekullit XX. Mio lindi në 1891, në Korçë. Talentin për pikturën e shfaqi që në auditoret e Arteve të Bukura në Bukuresht të Rumanisë, ku kreu studimet e larta.
Në vitin 1919 u kthye në Korçë dhe hapi ekspozitën e parë vetjake, e para në historinë e arteve figurative në vend. Fitimet e akumuluara nga shitja e pikturave, i mundësuan studimet në Institutin e Arteve të Bukura të Romës, ku u certifikua njëherazi si piktor dhe restaurues. Krijimtaria e tij solli një frymë moderne në pikturën shqiptare dhe luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e artistëve të rinj.
Nga veprat më të njohura të Vangjush Mios janë: “Dimri në Korçë”, “Dishnica”, “Vithkuqi”, “Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit”, “Autoportreti”, “Portreti i gruas”, “Portret plaku”, “Cigani” dhe “Njeriu me gajde”, si dhe shumë peizazhe nga rrethinat e Korçës dhe Pogradecit, por edhe jashtë Shqipërisë si Italia, Mali i Zi, etj. Mio numëron 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 bocete, të cilat ruhen në shtëpinë e tij, Muzeun “Vangjush Mio” në Korçë. Falë Bonusit të Rijetësimit, shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio u shndërrua në një muze bashkëkohor.
Vitet e fundit, është bërë një punë e madhe edhe për digjitalizimin e arkivës fotografike të Vangjush Mios.
Rreth 450 negativë të viteve 1930-1940 sjellin atmosferën e qyteteve shqiptare, banesat karakteristike, objektet e humbura të kultit, skena baritore dhe fshatrat e Juglindjes. Artisti ka realizuar shkrepje të rralla, të kapura me syrin e piktorit: peizazhe magjepsëse të Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Krujës, Durrësit, Vlorës.
Prej 15 vjetësh, në nder të piktorit zhvillohet edhe Kolonia Ndërkombëtare “Ditët e Mios”.





