Sipas vendimit, për të përfituar financim, subjektet aplikante duhet të jenë të regjistruara ligjërisht, të kenë njohje zyrtare nga federatat ndërkombëtare përkatëse dhe të dëshmojnë eksperiencë dhe kapacitete organizative në organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare.

Aktivitetet e propozuara duhet gjithashtu të kenë ndikim të dukshëm ekonomik, turistik dhe mediatik, përfshirë numrin e pjesëmarrësve ndërkombëtarë, delegacioneve dhe ekspozimin ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Procedurat e aplikimit parashikojnë paraqitjen e kërkesës gjatë gjithë vitit buxhetor pranë ministrisë përgjegjëse për sportin, duke përfshirë dokumentacion të detajuar për programin, planin teknik dhe financiar të aktivitetit. Një komision ad hoc vlerëson aplikimet dhe brenda 30 ditësh propozon miratimin ose mosmiratimin e financimit, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga ministri përkatës.

Pas lidhjes së kontratës, pagesat realizohen sipas planit financiar dhe faturave të paraqitura nga subjekti aplikues, duke përfshirë edhe tarifat e pjesëmarrjes, kur parashikohen në kontratë. Për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve ndërkombëtare ngrihet një grup monitorimi prej tre anëtarësh të caktuar nga ministri përgjegjës.