Në një takim të përfaqësuesve të përhershëm të BE-së në Bruksel u arrit mbështetja e nevojshme, edhe pse Gjermania dhe tetë vende të tjera nuk e mbështetën propozimin.

Danimarka, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, e cilësoi marrëveshjen si një hap të madh për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe ushqimor evropian. Sipas Kopenhagës, fermerët do të përfitojnë mjete të reja dhe të sigurta për të konkurruar globalisht, ndërsa bujqësia pritet të bëhet më e qëndrueshme dhe më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në Gjermani. Ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider, e quajti këtë zhvillim një “gabim serioz”, duke paralajmëruar se, nëse Parlamenti Evropian nuk e korrigjon, Berlini do të përpiqet të kufizojë dëmet.,

“Produktet pa organizma të modifikuar gjenetikisht duhet të mbeten të mundshme dhe të përballueshme, ndërsa zinxhirët e furnizimit duhet të garantojnë dallimin mes produkteve GMO dhe atyre pa GMO”, tha ai.

Sipas kompromisit të arritur më herët mes Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare, në të ardhmen do të ketë dy kategori të inxhinierisë gjenetike. Produktet me ndërhyrje më të vogla në gjenom do të lejohen në treg pa testime dhe etiketim të veçantë, ndërsa për ndërhyrjet më të thella do të vazhdojnë të zbatohen rregulla shumë më të rrepta.

Kjo do të thotë se konsumatorët nuk do ta kenë më të lehtë të dallojnë nëse një ushqim është modifikuar gjenetikisht.

Organizatat e konsumatorëve e kanë kritikuar ashpër këtë qasje. Federata Gjermane e Organizatave të Konsumatorëve e cilësoi vendimin si një “zhgënjim të hidhur”, ndërsa Foodwatch e quajti një dhuratë për lobin bujqësor. Megjithatë, etiketat “Pa Inxhinieri Gjenetike” dhe bujqësia organike pritet të mbeten garanci për produkte pa GMO, edhe pse do të tolerohet një prani “teknikisht e pashmangshme”.

Hapat e radhës përfshijnë votimin në Komisionin e Mjedisit të Parlamentit Evropian në janar, përpara miratimit përfundimtar nga Parlamenti dhe shtetet anëtare. Ndërkohë, debatet vazhdojnë mes atyre që shohin potencial të madh – si zhvillimi i kulturave më rezistente ndaj sëmundjeve dhe klimës – dhe kritikëve që paralajmërojnë për rreziqe ndaj ekosistemeve dhe përhapje të pakontrolluar të bimëve të modifikuara në natyrë.