Komediani Ricky Gervais ka dhuruar rreth 2,5 milionë paund për një grup bamirësish për kafshët nga të ardhurat e turneut të tij të fundit.
Të 22 shoqatat bamirëse që do të përfitojnë përfshijnë edhe dy nga Kent – ”Flori’s Friends Animal Rescue” në Chartham Hatch dhe ”Retreat Animal Rescue” në High Halden – dhe një në West Sussex – ”Safe Haven for Donkeys” në Haywards Heath.
64-vjeçari tha se donacionet ishin “për të festuar frymën e Krishtlindjeve”.
Ylli i ”Office” dhe ”Extras” postoi në Facebook se “këto janë bamirësitë e mrekullueshme që kam zgjedhur. Gëzuar Krishtlindjet, krijesa”.
Ai shtoi se “mamaja ime gjithmonë thoshte ‘nuk mund t’i merrni me vete paratë’.
“Jo, nuk mundem mama. Por, mund të kisha blerë 30 motoskafe dhe të kisha bredhur me ato rreth Mesdheut me shokët e mi. Sidoqoftë. Tani është tepër vonë”, shkruan ai.
Gervais dha 1,9 milionë paund për bamirësi në vitin 2023 pas një turneu të mëparshëm.
Përveç karrierës së tij në stand-up-e, Gervais është i njohur për bashkëkrijimin, bashkëshkrimin dhe rolin kryesor në sitcom-et e BBC-së ”The Office”, ”Extras” dhe ”Life’s Too Short” me Stephen Merchant.
Ai gjithashtu krijoi, shkroi dhe luajti rol kryesor në ”Derek” të Channel 4 dhe ”After Life” të Netflix





