Hetimi do të vlerësojë nëse “Google” po shkel rregullat e konkurrencës së BE-së duke mos kompensuar siç duhet botuesit ose duke mos u ofruar atyre mundësinë të refuzojnë përdorimin e përmbajtjes së tyre për përmbledhje të gjeneruara nga IA pa humbur aksesin në “Google Search”, tha komisioni.
Rezultatet e kërkimit të gjeneruara nga IA janë kritikuar nga botuesit, sepse “Google” paraqet fillimisht një përmbledhje të përmbajtjes së tyre në vend të një lidhjeje direkte drejt faqeve të tyre.
Kjo ul trafikun dhe për rrjedhojë të ardhurat nga reklamat në faqet e tyre.
Përveç kësaj, komisioni do të hetojë përdorimin nga “Google” të videove të ngarkuara në “YouTube” për të trajnuar modelet gjenerative të IA-së, pa ofruar kompensim të duhur për krijuesit e përmbajtjes apo mundësinë për t’u përjashtuar nga ky proces.
Nëse hetimi përfundon se ”Google” ka shkelur ligjin e BE-së, komisioni mund të vendosë gjoba.
“Një shoqëri e lirë dhe demokratike varet nga media e larmishme, qasja e hapur në informacion dhe një peizazh krijues i gjallë”, tha shefja e konkurrencës së BE-së, Teresa Ribera.
“Këto vlera janë thelbësore për ne si evropianë. IA po sjell inovacione të jashtëzakonshme dhe përfitime për njerëzit dhe bizneset në të gjithë Evropën, por ky progres nuk mund të vijë në kurriz të parimeve që ndodhen në zemër të shoqërive tona”, shtoi ajo.





