Komisioni Evropian e konsideron pavarësinë e bankës qendrore si një parakusht të domosdoshëm për stabilitetin makroekonomik dhe besueshmërinë e politikave monetare, dy elemente kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

Kjo qasje është mbështetur edhe nga liderët ndërkombëtarë si Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane, dhe Kristalina Georgieva, drejtoreshë e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët theksuan se një bankë qendrore e pavarur është thelbësore për stabilitetin ekonomik dhe rritjen afatgjatë.

Në takimin e zhvilluar me Guvernatorin Sejko, u diskutua për detajet e përafrimit të legjislacionit me acquis-në e BE-së, si dhe për hapat e mëtejshëm që do të çojnë në forcimin e pavarësisë dhe qeverisjes institucionale të Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori Sejko theksoi se BSH mbetet plotësisht e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të pavarësisë së saj, duke pasur parasysh kërkesat e BE-së dhe praktikat më të mira evropiane.

Në Raportet e Progresit 2023-2024, Komisioni Evropian ka vlerësuar se përputhshmëria e ligjit të Bankës së Shqipërisë me acquis-në e BE-së mbetet një prioritet, sidomos sa i përket pavarësisë personale të Guvernatorit. Raportet theksojnë se, megjithatë, ende ka hapësirë për përmirësime në këtë drejtim, për të arritur një përafrim të plotë me standardet evropiane.

Pas përfundimit të misionit, ekipi i ekspertëve pritet të përgatisë një paketë rekomandimesh, që do t’i paraqitet Komisionit Evropian dhe më pas autoriteteve shqiptare për t’u zbatuar në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në BE.