Shefja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Anke Weber deklaroi sot se Shqipëria vazhdon të shquhet si një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Europë, ndërsa konfirmoi se për vitin 2026 parashikohet rritje reale e PBB-së në 3.6%.
Ndërsa analizoi ecurinë e ekonomisë dhe financave shqiptare, Weber prezantoi rekomandimet e FMN-së për institucionet shqiptare.
Për vitin 2025, Weber tha se FMN parashikon një rritje reale të PBB-së në 3.5%, nxitur nga kërkesa e fuqishme e brendshme dhe sektori i fortë i turizmit.
Politikat e kujdesshme fiskale, sipas saj, kanë çuar në një ulje të jashtëzakonshme të borxhit publik gjatë viteve të fundit, ndërkohë që politika proaktive monetare ka ndihmuar që edhe inflacioni të ulet nën objektiv.
Nga ana tjetër Weber theksoi se sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid dhe disbalancat e jashtme janë tkurrur në mënyrë të konsiderueshme.
Sipas shefes së FMN-ë, “numri i papunësisë ka arritur nivele të ulëta historike”.
Por pavarësisht kësaj tabloje të favorshme, Weber nënvizoi se mbeten disa sfida.
“Trysnia fiskale, përfshi shpenzimet sociale dhe ato për mbrojtjen mund të gërryejnë hapësirat fiskale nëse nuk trajtohen”, tha ajo.
Në këtë drejtim, FMN rekomandon rritjen e të ardhurave relativisht të ulëta duke realizuar shpenzimet tatimore dhe duke çuar përpara reformat në taksën e pronës. Po ashtu, sipas saj, duhet forcuar administrimi i të ardhurave tatimore përmes teknologjisë së informacionit dhe përmirësimeve bazuar në të dhëna.





