Konferenca e 7-të Ndërqeveritare vjen pas një procesi të gjatë e të strukturuar negociatash që ka përfshirë hapjen e gjashtë grup-kapitujve të mëparshëm.
Konferenca e parë u mbajt më 19 korrik 2022 dhe shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë, pas vendimit të Këshillit Evropian për të nisur procesin e pranimit.
Konferenca e dytë, më 15 tetor 2024, hapi negociatat për grupin “Themeloret”, që përfshin kapitujt mbi funksionimin e institucioneve demokratike, gjyqësorin, të drejtat themelore dhe kontrollin financiar.
Konferenca e tretë, më 17 dhjetor 2024, iu kushtua “Marrëdhënieve të Jashtme”, përfshirë kapitujt mbi politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Konferenca e katërt, më 14 prill 2025, hapi negociatat për grup-kapitullin “Tregu i Brendshëm”, duke përfshirë lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit dhe punëtorëve.
Konferenca e pestë, më 22 maj 2025, u përqendrua te “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, përfshirë kapitujt mbi taksat, politikat sociale, arsimin dhe doganat.
Konferenca e gjashtë, më 16 shtator 2025, trajtoi grup-kapitullin “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, që përfshiu energjinë, transportin, mjedisin dhe klimën.
E shtata është konferenca që përmbyll hapjen e të gjitha grup-kapitujve të negociatave dhe pritet të shënojë një moment kyç në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe në përgatitjen për fazën përfundimtare të integrimit.





