Me një karrierë që zgjati shtatë dekada dhe mbi 100 role në ekran, Nakadai u bë i njohur në mbarë botën për interpretimin e tij në ”Ran” (1985), epopeja historike e Akira Kurosawa-s, frymëzuar nga ”Mbreti Lir” i Shekspirit.
Në film ai luajti rolin e lordit luftëtar Hidetora Ichimonji, një rol që i solli Kurosawa-s nominimin e vetëm për Oscar si regjisor.
Megjithëse e konsideronte teatrin si formën më të pastër të artit, Nakadai u bë i njohur për rolet e tij në filmat ”chanbara” dramat me samurajë dhe duele me shpata.
Një nga interpretimet e tij më të njohura ishte në ”Harakiri” (1962), nën regjinë e Masaki Kobayashi-t, me të cilin bashkëpunoi gjithashtu në ”Samurai Rebellion” dhe ”Kwaidan”.
Në vitin 1980, ai luajti në ”Kagemusha”, një tjetër film i Kurosawa-s që fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Kanës.
Por, kulmi i bashkëpunimit të tij me Kobayashi-n ishte trilogjia ”The Human Condition” (1959–1961), ku Nakadai interpretoi një pacifist-socialist që përpiqet të pajtojë idealet e tij me realitetin e Japonisë militariste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai spikati gjithashtu në bashkëpunimet me aktorin legjendar Toshiro Mifune, përfshirë filmin ”High and Low” (1963), ku luajti inspektorin Tokura, dhe ”Yojimbo” (1961).
Nakadai u lind në Chiba në vitin 1932, në një familje punëtore. Ai vendosi të bëhej aktor pasi arsimi universitar ishte tepër i shtrenjtë dhe u regjistrua në shkollë aktrimi në fillim të viteve ’50.
Fati e takoi me Kobayashi-n rastësisht, teksa punonte si shitës në një dyqan në Tokio, gjë që i hapi rrugën rolit të tij të parë filmik në ”The Thick-Walled Room” (1953).
Në vitin 1975, së bashku me bashkëshorten dhe aktoren Yasuko Miyazaki, ai themeloi shkollën e aktrimit “Mumeijuku” në Tokio, për të ndihmuar gjeneratat e reja të aktorëve.
Në vitin 2015, ai u nderua nga perandori me “Urdhrin e Kulturës”, nderimi më i lartë i Japonisë për kontributet në art dhe shkencë.
Sipas gazetës ”Yomiuri Shimbun”, Nakadai kishte dalë në skenë edhe këtë vit, dëshmi e pasionit dhe përkushtimit të tij deri në fund.





