Numri i vizitorëve në Kosovë është rritur gjatë muajit shtator në nivelin 3,7%, raporton Agjencia e Statistikave Kombëtare.

Në shtator të këtij viti, numri i vizitorëve (vendas dhe të huaj) në hotele ishte 64 mijë e 727, prej tyre 39,1 për qind ishin vendorë dhe 60,9 për qind ishin të jashtëm. Krahasuar me muajin shtator të vitit 2024 (ishin 62 mijë e 393 vizitorë) ka pasur rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 3,7 për qind.

Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 146 mijë e 598, prej tyre 50,6 për qind nga vendasit dhe 49,4 për qind nga të huajt.

Numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm dhe netqëndrimet e tyre në hotele sipas rajoneve, e ka rajoni i Pejës.

“Numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm në hotele e ka Rajoni i Pejës me 8 mijë e 281 vizitorë dhe me  25 mijë e 48 netqëndrimeve”, bën të ditur ASK.

Ndërsa, numri i vizitorëve të jashtëm dhe netqëndrimet e tyre në hotele, sipas shteteve prej nga vijnë, prin Shqipëria, pastaj Gjermania, Zvicra dhe Turqia.

“Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (shtator 2024) numri i vizitorëve ka mbetur i njëjtë, pa ndryshim. Në total 39 397 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh ishte nga: Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia etj.”, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.