Sipas vendimit, në territorin e Shqipërisë ngrihen shtatë rajone të baseneve lumore: Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Për çdo rajon, KBL-ja do të ketë qendër në qytetin kryesor të basenit dhe do të drejtohet nga prefekti i qarkut përkatës.
Këshillat përbëhen nga drejtues të institucioneve lokale, përfaqësues të grupeve të interesit dhe autoritete të menaxhimit të burimeve ujore. Numri i anëtarëve varion nga 15 deri në 31 për çdo këshill, sipas madhësisë dhe kompleksitetit të basenit.
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) do të publikojë informacionin mbi autoritetet kompetente, mbulimin gjeografik, përgjegjësitë dhe marrëdhëniet institucionale të këtyre këshillave, duke e bërë të disponueshëm për publikun brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të vendimit.



