Pabarazia e pasurisë përbën një krizë globale që kërcënon demokracinë dhe kohezionin social, paralajmëroi sot një grup ekonomistësh, duke u bërë thirrje udhëheqësve të G20 ta konsiderojnë këtë krizë në të njëjtin nivel me emergjencën klimatike.

”Kjo krizë pabarazie po përkeqëson urinë për miliarda njerëz dhe mund të përkeqësohet veçanërisht nga politikat tregtare të administratës Trump”, sipas një raporti të udhëhequr nga laureati i Çmimit Nobel në Ekonomi, Joseph Stiglitz.

“Një në katër persona në botë tani anashkalon rregullisht një vakt, ndërsa pasuria e akumuluar e miliarderëve ka arritur nivele të papara”, thuhet në raportin e porositur nga presidenca e Afrikës së Jugut e G20, e cila do të bashkojë ekonomitë më të mëdha të botës në një samit më 22 dhe 23 nëntor në Johannesburg.

“Bota e kupton se po përballemi me një emergjencë klimatike, është koha të pranojmë se po përballemi edhe me një krizë pabarazie”, argumentoi laureati i Çmimit Nobel në një deklaratë për shtyp.

Stiglitz dhe pesë ekspertët e tjerë fillimisht rekomandojnë krijimin e një paneli ndërkombëtar mbi pabarazinë për të kuptuar të gjithë mekanizmat e saj, siç janë teknikat e shmangies së taksave.

Ndër zgjidhjet e mundshme për të adresuar pabarazitë, ata përmendin masat e drejtësisë tatimore me një kontribut më të barabartë nga individët më të pasur, stabilizimin e çmimeve, çmontimin e monopoleve të mëdha dhe ristrukturimin e borxhit për vendet në zhvillim.

Ata gjithashtu shprehin shqetësimet e tyre se politikat e administratës Trump, veçanërisht vendosja e tarifave shtesë, do të përkeqësojnë pabarazitë globale.

“Kjo botë e re, në të cilën të fuqishmit i thyejnë rregullat pa u ndëshkuar dhe që po na largon nga një rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla, mund të sistematizojë modele të pabarabarta të tregtisë, investimeve dhe teknologjisë”, thote Stiglitz.

“Pabarazia gërryen besimin në institucione, nxit polarizimin politik dhe krijon një klimë tensionesh sociale të llojeve të ndryshme”, shtoi ai.