Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) njofton se gjatë periudhës janar-shtator 2025 janë lëshuar gjithsej 17883 certifikata fitosanitare për eksport, rieksport dhe përdorim të brendshëm, duke siguruar pastërtinë dhe sigurinë e produkteve bimore shqiptare.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe 451 certifikata fitosanitare janë lëshuar për rieksport dhe 129 për përdorim të brendshëm.
Këto shifra dëshmojnë rritjen e qëndrueshme të eksporteve bujqësore shqiptare dhe përpjekjet e vazhdueshme për të garantuar tregti të sigurt, të kontrolluar dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Certifikata fitosanitare është dokumenti zyrtar që vërteton se bimët dhe produktet me origjinë bimore janë të lira nga dëmtuesit karantinorë, duke garantuar sigurinë e tyre për konsum dhe tregti.
Ky dokument është detyrues për çdo produkt që eksportohet drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe tregjeve të tjera ndërkombëtare, si dhe për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor.
Përmes rrjetit të agronomëve dhe inspektorëve në terren, AKVMB monitoron dhe kontrollon gjendjen fitosanitare të bimëve dhe produkteve bimore në të gjithë vendin.
“Certifikata fitosanitare është një garanci për fermerët dhe eksportuesit shqiptarë se produktet e tyre përmbushin standardet më të larta të sigurisë bimore dhe janë të pranueshme në çdo treg ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Nëpërmjet këtij procesi rigoroz të kontrollit dhe certifikimit, Shqipëria po forcon pozicionin e saj si eksportuese e produkteve bujqësore të sigurta dhe cilësore, duke rritur konkurrueshmërinë e sektorit dhe besimin e partnerëve tregtarë ndërkombëtarë.





