Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj pas prezantimit të projektligjit të ri “Për gjuetinë” në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, u ndal tek disa nga masat e parashikuara në këtë projektligj për mbrojtjen e biodiversitetit
Ministri Japupaj vuri në dukje se vendosja e mjeteve të kontrollit për gjuetarët do të jetë e kontrolluar nga menaxheri.
“Nga ana tjetër sot që flasim në disa zona kryesisht në zonat e mbrojtura në lidhje me censusin e gjitarëve ne përdorim ato që quhen kamera kurth apo kamera të vëzhgimit të faunës çka do të jetë e detyrueshme për të gjitha zonat e gjuetisë”, tha Jaupaj.
Duke u ndalur tek masat për sezonin e gjuetisë, Jaupaj theksoi se “sezoni i gjuetisë është kryesisht një sezon i shkurtër më shumë kohë merr përgatitja e gjahut se sa sezoni i gjuetisë dhe do të ketë rregulla strikte sa i takon sezonalitetit, ashtu siç ndodh me sezonin turistik në lidhje me kontratat për beach bar do të aplikohet e njëjta tipologji në lidhje me sezonin e gjuetisë. Për periudhën tjetër nuk do të lejohet ushtrimi i gjuetisë sidomos në rastet kur kemi specie që janë në fazën e mbarështimit, gjë nuk funksiononte para vendosjes së moratoriumit”.
Jaupaj u shpreh se sot ka një shoqëri civile shumë të zhvilluar sa i takon çështjeve mjedisore, e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit do të vazhdojnë dhe të kryejnë raportet e monitorimet e tyre vjetore sa i takon censeve të caktuara që të konsiderohen transparente edhe raportet e bëra sa i takon faunës së egër në Shqipëri.





