Projekti i shpalljes së liqenit të Shkodrës si rajon biosfere ndërkufitare të UNESCO-s është finalizuar.

Përfshirja e liqenit të Shkodrës në UNESCO, i njohur si një ekosistem me vlera të rralla, fuqizon profilin e Shqipërisë në diplomacinë mjedisore, teksa nxit zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe prodhon bashkëpunime në menaxhimin e qëndrueshëm të ekosistemeve të përbashkëta.

Ky projekt synon të sjellë ndikim pozitiv për komunitetet vendase duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me Programin e UNESCO-s për Njeriun dhe Biosferën.

Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.

Ky liqen është gjithashtu një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë. Në Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë për vitin 2025, liqeni i Shkodrës u rendit në vendin e dytë me 23 899 individë, për numrin e specieve.