Administrata Doganore Shqiptare ka bërë një hap të madh drejt digjitalizimit, duke sjellë lehtësi dhe efikasitet të shtuar për bizneset dhe qytetarët.Në periudhën janar-tetor 2025, dogana ka miratuar 6180 shërbime online, duke mundësuar që një pjesë e madhe e operacioneve të kryhen pa nevojën e kontakteve fizike dhe me më shumë siguri në dokumentacion.
Transformimi digjital dhe automatizimi i proceseve kanë ulur edhe kohën mesatare të përpunimit të procedurave, nga 3,48 ditë gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2024 në 3,25 ditë në vitin 2025, një përmirësim mesatar prej 0,23 ditësh për çdo procedurë, ose 6,6%.
Sot, 41 shërbime doganore ofrohen plotësisht online, duke garantuar akses të menjëhershëm dhe të qartë për të gjithë përdoruesit.
Ky proces e ka bërë doganën më të lehtë për t’u përdorur, më transparente dhe të aksesueshme në çdo kohë dhe nga çdo vend.





