Përveç patrullimeve, tashmë përdoret edhe një dron që monitoron zonat me intensitet arkeologjik dhe territoret periferike.

Në një tryezë ekspertësh të trashëgimisë kulturore, u kërkua një mbrojtje më e fortë pasi Apolonia me 470 hektarët e saj, mbetet shënjestër e trafikantëve të artefakteve. Shtrirja e parkut dhe kompleksiteti i tij e bën që të ketë sfida të veçanta për mbrojtjen dhe monitorimin. Rastet e gërmimeve të paligjshme janë zvogëluar në numër dhe sistemi i monitorimit është përmirësuar, megjithatë vigjilenca duhet të jetë e përhershme, u tha nga të pranishmit në panel.

“Masat kanë qenë gjithmonë në rritje, jo vetëm me trajnimin e stafit, me shtimin e infrastrukturës ndihmesë, por edhe me monitorimin e territorit”, tha Ornela Dyrmishi, drejtore e Parkut Arkeologjik.

Tryeza e mbajtur mbi sigurinë synonte forcimin e frymës së bashkëpunimit e koordinimit mes institucioneve, profesionistëve dhe komunitetit. Parku shtrihet në një territor të gjerë dhe objekte të lashta janë gjetur në të gjithë zonën përreth, përfshirë Pojanin, Povelçën dhe Radostinën.

Pas vjedhjes spektakolare të Luvrit, pjesëmarrësit në tryezë theksuan se siguria e trashëgimisë kulturore mbetet ende relative.

Në vitin 2017, policia e Fierit arrestoi dy persona dhe sekuestroi 230 objekte antike të vjedhura nga nëntoka e Apolonisë, të destinuara për tregun e zi të veprave të artit.