Kjo monografi me autorë, Elsa Skënderi Rakipllari, Anila Çepani, Rozana Rushiti, Belfjore Qose është produkt i projektit me të njëjtin emër, financuar nga Universiteti i Tiranës, përmes programit UT-Kërkim, Ekselencë dhe Inovacion.

Elsa Skënderi u shpreh se synimi i këtij libri studimor është hedhja dritë në praninë e ideologjisë politike në librat e gjuhës dhe leximit letrar në klasat VI-VII-VIII.

“Tekstet mësimore janë përdorur gjatë periudhës së komunizmit si mjet për ta përhapur dhe për ta ngulitur ideologjinë politike”, tha Elsa Skënderi.

Gjatë kohës së komunizmit, tekstet e gjuhës dhe letërsisë nuk kishin vetëm funksion arsimor, por edhe propagandistik. Arsimi asokohe konsiderohej një nga mjetet kryesore të edukimit politik dhe të formimit të “njeriut të ri socialist.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku theksoi se kjo temë është thelbësore për të kuptuar se si ideologjia e një shoqërie ndikon në formimin kulturor të individëve. Ai theksoi se tema është thelbësore edhe për t’u përballur me pasojat e së shkuarës, me atë që quhet inkontaminimi ideologjik i një shoqërie.