I prezantuar në vitin 2017, ky forum, i quajtur “Davosi i Shkretëtirës”, shërben si një vitrinë për programin ambicioz të reformës ”Vision 2030” të Princit të Kurorës dhe sundimtarit de facto Mohammed bin Salman, që synon të zvogëlojë varësinë e eksportuesit më të madh të naftës në botë nga lëndët djegëse fosile.

Nëntë vjet pas prezantimit të këtij programi, “rezultatet janë aty”, deklaroi Yasir Al-Rumayyan, kreu i Fondit të pasur të Investimeve Publike Saudite (PIF), në hapjen e forumit, duke vënë në dukje një rritje prej 24% të investimeve të huaja në mbretëri vitin e kaluar, në 31,7 miliardë dollarë.

“Ne ia prezantuam Arabinë Saudite botës dhe tani bota po vjen në Arabinë Saudite”, u mburr ai.

Pas pompozitetit dhe rrethanave, disa projekte kryesore të ”Vision 2030”, siç është Neomi, një megaqytet futurist prej 500 miliardë dollarësh në ndërtim e sipër në veriperëndim të vendit, megjithatë po ngrenë dyshime për fizibilitetin e tyre brenda afateve të shpallura, në një kontekst të shënuar nga rënia e çmimeve të naftës.

Me organizimin e ngjarjeve të mëdha si Expo 2030 dhe Kupa e Botës 2034, shpenzimet po grumbullohen për mbretërinë, e cila parashikon një deficit buxhetor dy herë më të madh se sa pritej këtë vit.

“Është e qartë se një rikalibrim i prioriteteve të buxhetit është duke u zhvilluar. Investitorët do të kërkojnë informacion se ku do të drejtohen paratë që tani e tutje”, analizon Robert Mogielnicki i Institutit të Shteteve të Gjirit në Uashington, për të cilin “forumi mbetet një mundësi e madhe për të mobilizuar investimet e huaja për të financuar një transformim ekonomik të kushtueshëm dhe ndonjëherë të vështirë”.

Disiplina fiskale

”Aramco”, eksportuesi më i madh i naftës në botë dhe një shtyllë e ekonomisë saudite, ka parë rënie të fitimeve të saj për dhjetë tremujorë radhazi që nga rezultatet rekord në vitin 2022.

Megjithatë, për Karen Young, një specialiste në politikën ekonomike të Gjirit në Institutin e Lindjes së Mesme, rregullimet e bëra në disa megaprojekte “nuk përbëjnë një sinjal negativ”.

“Përkundrazi, ato pasqyrojnë një formë të disiplinës fiskale dhe tregojnë mundësi në sektorë të tjerë, nga turizmi te strehimi, duke përfshirë infrastrukturën dhe monetizimin e aseteve të ‘Aramco-s”, e cila mbetet një nga kompanitë më fitimprurëse në botë”, beson ajo.

Forumi duhet të jetë gjithashtu një mundësi për mbretërinë për të shfaqur ambiciet e saj në fushën e inteligjencës artificiale, me organizatorët që njoftojnë marrëveshje të mëdha të ardhshme midis Humain, kompanisë së inteligjencës artificiale në pronësi të PIF, dhe disa kompanive ndërkombëtare.

Gjigandët amerikanë të teknologjisë ”Google”, ”Intel”, ”Snapchat” dhe ”Nvidia” do të jenë të pranishëm në forum, ndërsa monarkia e Gjirit kërkon të pozicionohet në IA duke siguruar qasje në teknologjitë amerikane të përparuara.

Riadi do të kërkojë të demonstrojë se ambiciet e saj teknologjike janë “reale dhe të arritshme”, sipas Robert Mogielnicki.

Princi i Kurorës pritet të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara në nëntor për vizitën e tij të parë në vend që nga marsi 2018, disa muaj para protestave të shkaktuara nga vrasja e gazetarit të ”Washington Post”, Jamal Khashoggi, nga agjentët sauditë.

Ai është planifikuar të takohet me presidentin Donald Trump, me të cilin mban lidhje të ngushta, të forcuara nga 600 miliardë dollarë investime saudite të premtuara për industritë amerikane gjatë vizitës së presidentit amerikan në Riad, në maj.