Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit vijon puna për digjitalizimin e fototekës së Muzeut Historik Kombëtar, i cili sot kremton 44-vjetorin e themelimit të tij.
Pakkush kishte njohuri mbi këtë fototekë, prej 12 mijë negativësh të ruajtur në MHK, deri në ditën kur drejtuesit e rinj të këtyre dy institucioneve njoftuan marrëveshjen për bashkëpunim për digjitalizimin e kësaj pasurie kombëtare.
Si pasuri publike, materialet e saj do të jenë të aksesueshme, por duke patur parasysh të drejtën e autorit.
Dikur muzeu ka pasur një laborator fotografik i cili ishte funksional deri pas viteve ’90. Një punë e madhe është bërë nga fotografi i parë i muzeut Refik Veseli, i cili ka fotografuar qytete e vende të ndryshme historike. Kjo punë e tij pasqyrohet në fototekën me negativa që zotëron muzeu sot.
Fototeka është ngritur në funksion të pavijoneve muzeore. Ka një katalog me skeda për gjetjen e negativëve, i ngritur sipas linjës muzeore që fillon nga Pavijoni i Antikitetit, i Mesjetës, i Rilindjes, i Pavarësisë, i Luftës Antifashiste dhe i Socializmit. Përveç kësaj ka një skedar të veçantë për figura dhe personalitete historike si dhe për aktivitetet dhe ekspozitat e zhvilluara ndër vite në muze.
Fototeka që po digjitalizohet, përbëhet në pjesën më të madhe të saj nga filma bardhezi, të formateve të ndryshme si dhe një numër më i vogël diapozitivësh. Filmat janë të vendosur në zarfe bashkë me një stampë dhe arrijnë ne me shume se 12000 copë të vendosur në sirtarët e skedarit. Secili zarf ka numrin e negativit i cili korrespondon me skedën përkatëse të skedarit ku janë shkruar të dhënat për secilin negativ.
Kreu i AQSHF-së thekson rëndësinë e arkivave si themele të një institucioni, të cilat duhen digjitalizuar. Tanini thotë se, misioni i institucionit që drejton është të gjejë arkiva të ngjashme, të kujdeset e t’u vijë në mbrojtje këtyre institucioneve për të rijetësuar kujtesën e tyre.





