Në stadiumin e Vorës po punohet me ritme të shpejta për ndërtimin e tribunës së re qendrore, një investim i Federatës Shqiptare të Futbollit, në bashkëpunim me bashkinë Vorë.

Krahas tribunës, po kryhen edhe ndërhyrje të tjera në infrastrukturën e stadiumit, që përfshijnë ndërtimin e dhomave të zhveshjes për lojtarët, ambienteve për stafet teknike, si edhe hapësira të tjera funksionale, të domosdoshme për garantimin e standardeve bashkëkohore të funksionimit të impiantit, sipas kritereve të licencimit.

Gjithçka është në rrugën e duhur dhe ditën e sotme zv.presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, dhe drejtori i departamentit të Projekteve në FSHF, Kevin Lleshi, zhvilluan një vizitë inspektuese në stadiumin e Vorës, ku panë nga afër ecurinë e punimeve.

Drejtori i departamentit të Projekteve në FSHF, Kevin Lleshi, theksoi se ky është një nga investimet e rëndësishme të FSHF-së që do të përmbushë standardet e UEFA-s dhe FIFA-s. Ai përmendi edhe projektet e tjera infrastrukturore që po realizohen në Durrës, Prrenjas, Gjirokastër, Elbasan dhe Tiranë, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës sportive në vend.

“FSHF nuk ndalet vetëm me këtë projekt, por projektet infrastrukturore vazhdojnë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Dy fusha të reja në qytetin e Durrësit, që po bëhen në bashkëpunim me Bashkinë dhe klubin e Teutës. Gjithashtu, po ndërtohen dy fusha në qytetin e Përrenjasit dhe dy fusha në qytetin e Gjirokastrës. Të gjitha këto janë në hapat e fundit për montimin e tapetit artificial. Njëkohësisht, në ditët në vijim do të fillojë edhe mbjellja e fushës së tretë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, duke i shtuar edhe një fushë të re qytetit të Tiranës, që do të përdoret për Kombëtaren A dhe Kombëtaret e moshave”, tha drejtori i departamentit të Projekteve në FSHF, Kevin Lleshi.