Zonat e mbrojtura janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm, i cili është i përshtatshëm për turistët, që nga ata që duan të shijojnë natyrën, deri tek turistët aventurierë të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme.
Përveç ecjeve në shtigjet e zonave të mbrojtura vitet e fundit vizitorët po tregojnë interes edhe për turizmin e vëzhgimit të shpendëve, sidomos të atyre ujorë, si në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, lagunën e Nartës, lagunën e Kune-Vainit, liqenin e Shkodrës, liqenin e Pogradecit, etj.
Zgjerimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë dhe për habitatet e rralla që bartin.





