Krahasuar me sektorët e tjerë, tregtia renditet e dyta me 40%, ndërsa shërbimet shfaqin një nivel më të ulët huamarrjeje, me vetëm 24% të ndërmarrjeve të ekspozuara ndaj borxhit.
Vrojtimi i BSH-së, nënvizon varësinë e lartë të sektorit të ndërtimit ndaj financimit bankar për të përballuar ritmet e larta të investimeve dhe kostot operacionale, që janë gjithnjë në rritje në këtë sektor.
Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve që kanë marrë hua gjatë kësaj periudhe, përfshirë ato në ndërtim, i kanë përdorur fondet për investime afatgjata (56%) dhe në masë më të vogël për shpenzime operacionale të aktivitetit (30%).
Në përgjithësi, 33% e ndërmarrjeve në rang kombëtar kanë një hua aktive, duke shënuar rënie me 3 pikë përqindjeje krahasuar me periudhën e kaluar dhe me 4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, ndërtimi vijon të jetë sektori më i ekspozuar, duke reflektuar dinamikat intensive të zhvillimit dhe nevojën për likuiditet të menjëhershëm.





