Natyra, mbetet një “thesar” për të edukuar fëmijët, duke krijuar një qasje ndryshe larg një ore mësimi klasike në shkollë.

Nxënësit e shkollës “Myredin Bashalli” në Pogradec janë shembulli i kësaj, të cilët nën drejtimin e specialistëve të zonave të mbrojtura dhe të frymëzuar nga biodiversiteti i liqenit të Pogradecit krijuan “rrjetën e jetës”.

Programi i Artit dhe Zejeve së bashku me orët e edukimit mjedisor po bëhen ura mes dijes dhe krijimtarisë, duke i ndihmuar nxënësit të shndërrojnë idetë në produkte të qëndrueshme sipas traditave të zonës, miqësore me mjedisin dhe të frymëzuara nga dashuria për natyrën.

Përveç ujërave të pastra, liqeni i Pogradecit është i njohur edhe për ekosistemin e tij të veçantë, i cili konsiderohet si një “muze në natyrë” dhe si një “qendër natyrore” për ruajtjen e biodiversitetit. Liqeni i Pogradecit është habitati i më shumë se 1400 specieve autoktone të florës dhe të faunës, 300 prej të cilave janë endemike.