Hapësira krejtësisht e veçantë, u mbush me libra të dhuruar për qytetin, nga Libraria “Dukagjini” e Kosovës. Gjithashtu, një pjesë librash dhuruan edhe arkitektët të cilët kanë marrë pjesë në projektet e zhvilluara në kryeqytet.
Kjo hapësirë që bashkon arkitekturën me artin dhe kulturën është vepër e arkitektit Chris Precht. Librat e ekspozuar, mund të lexohen vetëm brenda “Tirana Moons”. Interes gjatë këtyre ditëve kanë pasur kryesisht moshat studentore si dhe të moshuarit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi “Tirana Moons” si një oaz, ku libri, arti, arkitektura dhe natyra ndërthuren bukur, duke sjellë frymëzim e qetësi në zemër të qytetit.
E vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, kjo yjësi unazash prej druri duket sikur rrëmben hapësirë prej makinave dhe ua kthen atë atyre që ecin, lexojnë dhe ëndërrojnë.





